KEDS gjobitet me 400 mijë euro për parregullsitë me njehsorët elektrikë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se deri më tani janë shqiptuar 80 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë të përgjithshme prej 400 mijë eurosh.

Sipas saj, rastet kanë të bëjnë me 80 njehsorë elektrikë të cilëve u kishte kaluar afati i verifikimit periodik. Ministrja bëri të ditur se gjobat kanë kaluar nëpër dy nivele të shqyrtimit dhe janë konfirmuar.

Çështja u ngrit në Kuvendin e Kosovës nga deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila kërkoi sqarime lidhur me vonesat në trajtimin e ankesave të qytetarëve për mospërputhjet e orës në njehsorët elektrikë.

Ndërkohë, hetimet lidhur me dyshimet për parregullsi në matjen e konsumit të energjisë janë duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Rasti ka rikthyer vëmendjen te mbikëqyrja e njehsorëve elektrikë dhe mbrojtja e konsumatorëve nga faturimi potencialisht i pasaktë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *