Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka falënderuar Kuvendin e Gjilanit për votimin e propozim vendimit për subvencionimin e familjeve strehuese, duke thënë se Gjilani bëhet komuna e dytë në nivel vendi për nga mbështetja financiare për familjet strehuese.
Ky vendim paraqet një hap konkret dhe shumë të rëndësishëm në mbështetje të familjeve që me dashuri, përkushtim dhe përgjegjësi hapin dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre për fëmijët që kanë nevojë për kujdes, siguri dhe një ambient familjar.
Me këtë vendim, Gjilani bëhet komuna e dytë në nivel vendi për nga madhësia e mbështetjes financiare për familjet strehuese.
Mbështetja financiare nga Komuna e Gjilanit do të jetë:
– 200 euro mbështetje bazë për familjen strehuese.
– 100 euro shtesë për çdo fëmijë të strehuar.
Kështu, mbështetja mujore do të jetë:
– Familja me 1 fëmijë: 300 euro.
– Familja me 2 fëmijë: 400 euro.
– Familja me 3 fëmijë: 500 euro.
Për familjet që strehojnë fëmijë me aftësi të kufizuara:
– 200 euro mbështetje bazë për familjen.
– 200 euro shtesë për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.
Kjo mbështetje nga Komuna e Gjilanit i shtohet mbështetjes financiare që familjet strehuese tashmë e përfitojnë nga niveli qendror.
Përmes këtij njoftimi, ftojmë të gjitha familjet që kanë vullnet dhe dëshirë të bëhen familje strehuese, që të lajmërohen pranë institucioneve përkatëse dhe të informohen për procedurat dhe mundësitë e strehimit familjar.
Ky vendim është më shumë se mbështetje financiare. Është vlerësim për familjet që marrin përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonshme humane dhe një investim në mirëqenien, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve.
“Si Drejtori e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të vazhdojmë të punojmë për politika konkrete që vendosin fëmijën, familjen dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të përgjegjësisë sonë institucionale. Sepse çdo fëmijë meriton një familje, dashuri, kujdes dhe siguri!”, ka thënë drejtoresha e DSHMS-së, Mimoza Kadriu.


Leave a Reply