IPK kërkon suspendimin e pesë policëve në Prishtinë dhe Gjilan, dyshime për vepra penale

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, një në Prishtinë dhe tjetrin në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të IPK-së, rasti i parë përfshin tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, të cilët dyshohen për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Kontrollim i kundërligjshëm”.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit 2026, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishtë të Prishtinës. Sipas pretendimeve të qytetares ankuese, ajo ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë derisa ishte duke drejtuar automjetin, pas së cilës dyshohet se i ishte kërkuar të vazhdonte drejt Çagllavicës për veprime me karakter seksual.

Lidhur me këtë rast, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë iniciuar procedurat hetimore për veprat e dyshuara penale.

Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjilan, ndaj të cilëve IPK ka rekomanduar suspendimin nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, zyrtarët policorë dyshohet se kishin ndaluar një qytetar dhe e kishin vendosur në automjetin zyrtar, ku pretendohet se e kishin fyer verbalisht dhe ia kishin cenuar privatësinë, përfshirë marrjen e telefonit pa urdhër të prokurorisë.

IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të të dy rasteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *