Kompania ajrore Wizz Air ka hapur zyrtarisht bazën e saj të re operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e bërë kryeqytetin e Kosovës bazën e 43-të të kompanisë.
Me këtë rast, drejtori menaxhues i Wizz Air Hungary, Roland Tischner, ka bërë të ditur se në Prishtinë do të vendosen dy aeroplanë të tipit Airbus A321neo. Aeroplani i parë tashmë ka filluar operimet, ndërsa i dyti pritet të arrijë në pranverën e vitit 2027.
Në kuadër të zgjerimit të operimeve, kompania ka paralajmëruar hapjen e tetë linjave të reja ajrore nga Prishtina. Tri prej tyre janë planifikuar për muajin nëntor, drejt Baselit, Brukselit dhe Baden-Badenit, ndërsa pesë të tjera gjatë muajit dhjetor, drejt Berlinit, Frankfurtit, Hamburgut, Triestes dhe Malmös.
Sipas Tischner, me zgjerimin e planifikuar, Wizz Air do të ofrojë gjithsej 14 linja ajrore nga Prishtina drejt shtatë shteteve evropiane.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se zgjerimi do të mundësojë shtimin e rreth një milion ulëseve në vit, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e kompanisë në tregun kosovar.
Hapja e bazës së re pritet të ndikojë në rritjen e mundësive të udhëtimit për qytetarët e Kosovës dhe diasporën, si dhe në zgjerimin e lidhjeve ajrore me qytetet kryesore evropiane.


Leave a Reply