Gati 10 milionë euro për Qarkoren e Gjilanit, shpallet konsorciumi fitues

Projekti për ndërtimin e Qarkores së Gjilanit ka hyrë në një fazë të rëndësishme, pasi është nënshkruar kontrata për realizimin e tij në vlerë prej 9,987,063.30 eurosh.

Tenderin për këtë projekt e ka fituar konsorciumi i përbërë nga kompanitë “Tali Sh.P.K.” dhe “Company Zuka Commerce”, sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimit.

Projekti parasheh ndërtimin e Qarkores së Gjilanit, hartimin e projektit kryesor për qarkoren e qytetit, si dhe lidhjen e dy rrugëve nacionale me Autostradën e Gjilanit.

Në kuadër të investimit përfshihen edhe segmente rrugore në Stanqiq, Lipovicë, Myqibabë, Depcë dhe Cernicë.

Realizimi i projektit bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Qarkorja synon të përmirësojë lidhjet rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin në Gjilan dhe zonat përreth.

Ky projekt konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, ndërsa realizimi i tij pritet të ndikojë në organizimin e trafikut dhe lidhjen e vendbanimeve me rrjetin kryesor rrugor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *