Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë mund të kryhen brenda sekondave

Banka Qendrore e Kosovës ka lansuar zyrtarisht Sistemin e Pagesave të Menjëhershme TIPS-K, i cili synon të mundësojë transferimin e parave ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondave.

Ofrimi gradual i këtij shërbimi për qytetarët dhe bizneset nis më 23 nëntor 2026, fillimisht përmes katër bankave që kanë përfunduar përgatitjet teknike dhe operative: ProCredit Bank, Banka për Biznes, Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.

Sistemi do të mundësojë kryerjen e transfereve 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Një nga përparësitë e këtij sistemi janë edhe tarifat e reja. Për tri muajt e parë, transferet deri në 300 euro do të jenë pa pagesë, ndërsa për transferet mbi 300 deri në 3.000 euro tarifa maksimale do të jetë 15 cent.

Në fazën e parë, kufiri maksimal për një transfer do të jetë 3.000 euro, ndërsa më vonë parashihet të rritet deri në 10.000 euro.

BQK ka bërë të ditur se të gjitha bankat duhet të lidhen me sistemin deri më 23 shkurt 2027, ndërsa shërbimi do të zgjerohet gradualisht.

Sistemi TIPS-K është zhvilluar me mbështetjen teknike të Bankës së Italisë, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës Botërore, në kuadër të modernizimit të sistemit të pagesave në Ballkanin Perëndimor. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *