Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh gjatë periudhës janar-tetor 2026, ndërsa vlera e eksporteve ka arritur në 960 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importet janë rritur për 8.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur vlera e tyre ishte 5.81 miliardë euro.
Në anën tjetër, eksportet kanë shënuar rritje prej 23.9 për qind, nga 774.8 milionë euro sa ishin në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar, në 960 milionë euro gjatë vitit 2026.
Megjithatë, diferenca ndërmjet importeve dhe eksporteve vazhdon të jetë e madhe. Deficiti tregtar për këtë periudhë ka arritur në 5.34 miliardë euro, krahasuar me 5.04 miliardë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sa i përket origjinës së mallrave të importuara, Kina prin me 879.4 milionë euro, e ndjekur nga Gjermania me 838.6 milionë euro dhe Turqia me 740.3 milionë euro.
Ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës, me 182 milionë euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 148.6 milionë euro.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve, ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga varësia e lartë nga mallrat e importuara.


Leave a Reply