Federata e Futbollit e Kosovës është dënuar nga UEFA me gjithsej 42 mijë e 250 euro gjobë për shkeljet e evidentuara gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e zhvilluar më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sipas vendimit të publikuar nga organet disiplinore të UEFA-s më 19 nëntor, dënimi përfshin katër shkelje të ndryshme të evidentuara gjatë kësaj ndeshjeje.
Për sjellje raciste dhe diskriminuese, FFK-ja është gjobitur me 10 mijë euro. Për këtë shkelje, UEFA ka urdhëruar edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit gjatë ndeshjes së ardhshme si vendas në një garë të organizuar nga UEFA.
Megjithatë, ky dënim është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh dhe do të aktivizohet në rast të përsëritjes së një shkeljeje të ngjashme.
Federata është gjobitur me 10 mijë euro të tjera për incidentet gjatë intonimit të himneve kombëtare, 2 mijë e 250 euro për hedhjen e gjësendeve dhe 20 mijë euro për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.
UEFA nuk ka specifikuar konkretisht se për cilin mesazh është shqiptuar gjoba prej 20 mijë eurosh.
Ndeshja Kosovë–Izrael përfundoi me rezultat 0:0, ndërsa vendimi disiplinor ka rikthyer vëmendjen te sjellja e tifozëve dhe masat që klubet dhe federatat duhet të ndërmarrin gjatë organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare.


Leave a Reply