U trajtua brutalisht në Shqipëri/ Zi në Gjermani, pas ngordhjes së papritur të luanit Erion

auto 1772601641380loewe erion auffangstation massweiler 100 v 16x92dL 6c42aff4e68b43c7868c3240d3ebfa29867457da1775067371

  • U trajtua brutalisht në Shqipëri/ Zi në Gjermani, pas ngordhjes së papritur të luanit Erion

Që prej dhjetorit 2025, luani Erion jetonte në stacionin e kafshëve të egra në Maßweiler, në rajonin e Pfälzerwald. Më parë, ai mbahej në kushte të këqija në Shqipëri, përfshirë hapësira shumë të vogla. Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve u vunë në lëvizje pasi panë një foto të tij në rrjetet sociale dhe arritën ta shpëtonin me ndihmën e doganës.

Pas mbërritjes në Gjermani, gjendja e tij u përmirësua ndjeshëm. ‘Të gjithë u mahnitën sapo mbërriti në Maßweiler’, u shpreh kujdestarja dhe ekspertja e faunës së egër, Eva Lindenschmidt. Luani, i dobësuar dhe me pjesën më të madhe të krifës së rënë, rifitoi forcë dhe masë muskulore. Kujdestarët vlerësuan edhe natyrën e tij kureshtare gjatë periudhës së rikuperimit.

Gjatë një kontrolli rutinë mjekësor, luani trevjeçar duhej t’i nënshtrohej një ekzaminimi nën anestezi. Fillimisht gjithçka shkoi normalisht, por papritur ndodhi një kolaps i funksioneve të zemrës dhe frymëmarrjes. Një ekip prej gjashtë veterinerësh u përpoq intensivisht për ta shpëtuar, por pa sukses. Erion ndërroi jetë në vend.

Shkaku i saktë mbetet ende i paqartë. Duke qenë se anestezia nisi pa komplikacione të dukshme, dyshohet për një sëmundje të padiagnostikuar më parë’, deklaroi Lindenschmidt.

Ekzaminimet e para treguan ndryshime në zonën e kafkës, të shtyllës së qafës dhe të dy veshkave. Këto gjetje sugjerojnë se kushtet e mëparshme të mbajtjes mund të kenë lënë pasoja të përhershme në shëndetin e tij. Një autopsi pritet të japë më shumë përgjigje dhe të ndihmojë në trajtimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Në stacionin e kafshëve të egra në Maßweiler mbizotëron trishtim i thellë. Në një reagim në rrjetet sociale, stafi theksoi se gjatë kohës së shkurtër aty, Erion kishte nisur të rimëkëmbej dhe të humbiste gradualisht shenjat e jetës së mëparshme.

‘Është gjithmonë e dhimbshme të humbasësh një kafshë për të cilën je kujdesur çdo ditë’, u shpreh Lindenschmidt, duke shtuar se shumë kafshë të shpëtuara mbartin dëmtime të rënda afatgjata nga kushtet ku janë rritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts