Mbledhja e Kuvendit Komunal të Gjilanit u karakterizua nga një debat i tensionuar mes asambleistit, Besnik Shala (LVV), dhe asamblistes së LDK-së, Gresa Avdiu.
Avdiu sfidoi kryetarin duke i kërkuar të përmendë një projekt që, sipas saj, është përfunduar nga viti 2021 e deri më sot.
“Tregona një projekt që e ke përfunduar nga 2021 deri sot”, tha ajo, duke ngritur gjithashtu pretendime se disa projekte janë realizuar pa leje. “Tregona ku janë lejet”, u shpreh Avdiu.
Asambleisti Besnik Shala iu kundërpërgjigj duke kërkuar nga opozita të flasë për projektet e qeverisjes së saj.
“Tregona projektet e juve, ku janë lejet. Bulevardi ka me u bo, dashtët apo jo. Thirre edhe Kallxo.com nëse doni”, deklaroi Shala.
Ai vazhdoi me akuza ndaj ish-qeverisjes lokale, duke thënë se gjatë mandatit të tyre projektet janë realizuar pa leje.
“Mos folni bile ju, se krejt e dimë që kurrë leje s’ka pasë në qeverinë e juaj. Projektet që i kemi përfundu janë Parku Banja, bile edhe rrugën që vjen ti prej malit na ta kemi ndreq”, shtoi ai.
Debati u ndërpre për shkak të pauzës së mbledhjes, ndërsa pritet që përplasja mes pozitës dhe opozitës të vazhdojë edhe pas rifillimit të seancës.
