Mbi një në pesë arrestime të kryera gjatë protestave antiqeveritare në Tiranë janë vlerësuar të paligjshme nga prokuroria ose gjykata, sipas të dhënave të siguruara nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Të dhënat e publikuara më 2 nëntor tregojnë se nga gjithsej 319 protestues të arrestuar deri më 31 tetor, 291 janë paraqitur para gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë.
Prej tyre, 62 arrestime, apo më shumë se 21 për qind, janë konsideruar të paligjshme nga Gjykata e Tiranës ose drejtpërdrejt nga prokurorët.
Raporti nxjerr në pah edhe përfshirjen e të miturve në këto procedura. Nga 319 protestuesit e arrestuar, 38 ishin të mitur, ndërsa në gjashtë raste gjykata ka vlerësuar se ndalimi i tyre ishte i paligjshëm.
Po ashtu, Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 653 protestues të tjerë deri më 27 tetor, prej të cilëve 179 ishin të mitur.
Sa u përket masave të sigurisë, gjykata ka vendosur arrest me burg për 12 persona dhe arrest shtëpiak për tetë të tjerë. Shumica, përkatësisht 157 protestues, janë lënë me detyrim paraqitjeje.
BIRN vlerëson se të dhënat ngrenë shqetësime për praktikat e Policisë së Shtetit dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve gjatë protestave.
Zhvillimet vijnë pas protestave antiqeveritare që nisën të radikalizohen më 13 tetor, kur u shënuan edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Shifrat e raportit shtrojnë një çështje të rëndësishme për institucionet shqiptare: deri ku mund të shkojë ndërhyrja policore gjatë protestave dhe si garantohet që arrestimet të bëhen në përputhje me ligjin?


Leave a Reply