Nën urdhrat e selektorit Agron Shabani, Kombëtarja e Kosovës në hendboll të dielën pasdite në Lipjan e ka zhvilluar stërvitjen e parë për ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2026.
Hendbollistet tona të enjten nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë përballen me hendbollistet e Francës, që është superfuqi botërore në sportin tonë.
Ndërkohë të dielën e ardhshme në Zagreb është ndeshja përfundimtare e këtij cikli, ndaj Kroacisë.
Në stërvitjen e parë ishin shumica e lojtareve të ftuara. Bëhet fjalë kryesisht për lojtare të reja dhe të klubeve të vendit.
Më shumë se dhjetë lojtare mungojnë në krahasim me ekipin që ishte në grumbullimin e kaluar. Disa mungojnë për shkak të lëndimeve e të tjera për shkak të obligimeve në vend të punës dhe për shkollim.
Te lojtaret ka vendosmëri për ta shfrytëzuar maksimalisht mundësinë për të fituar përvojë në ndeshje me Kombëtare cilësore evropiane.