Një operacion i gjerë policor në rajonin e Lausitz, në Gjermani, ka çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës dhe arrestimin e një të dyshuari kryesor. Autoritetet gjermane konfirmuan se bëhet fjalë për një goditje të koordinuar ndaj strukturave të krimit të organizuar.
Rreth 50 efektivë policie bastisën njëkohësisht tetë objekte në landin Brandenburg dhe në Saksoni, duke u fokusuar në zonat Oberspreewald-Lausitz, Elbe-Elster dhe Bautzen. Operacioni u zhvillua nga Grupi i Përbashkët i Hetimit për Narkotikët (GER), në bashkëpunim me policinë dhe autoritetet doganore.
Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan rreth 7.5 kilogramë metamfetaminë (‘Crystal Meth’), një kilogram kanabis dhe një shumë të konsiderueshme parash. Po ashtu, dy automjete u konfiskuan si pjesë e hetimeve për përfitime të paligjshme.
Në fokus të hetimeve janë katër persona, të moshës 30 deri në 37 vjeç, me shtetësi gjermane dhe shqiptare. Prokuroria e Frankfurtit (Oder) i akuzon ata për trafik të organizuar të narkotikëve në sasi të mëdha.
Një 34-vjeçar shqiptar u arrestua dhe u paraqit para gjykatës në Senftenberg, ku ndaj tij u caktua masa e paraburgimit. Ai konsiderohet si një nga të dyshuarit kryesorë në këtë rast.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë dhe tashmë janë përqendruar në analizimin e provave të sekuestruara. Ky operacion konsiderohet si një sukses i rëndësishëm në luftën kundër trafikut të drogës në rajon.