Gjithë populli i Kosovës këto ditë është në ankth pse partitë politike të Kosovës nuk po pajtohen që presidente e Kosovës të jetë zonja Vjosa Osmani.
Takimet mes tyre këto ditë po prodhojnë këtë arsyetim se po kërkojnë një person konsensual dhe pa marrë parasysh kush është ai.
Po çfarë konsensusi po kërkojnë ose cili është ky konsensus sipas tyre?
A duhet të kërkohet konsensus sipas kontributit, vlerave dhe aftësive të individit apo s’ka rëndësi kush është ai, vetëm të mos jetë Vjosa Osmani, sepse kanë vënë kusht që kjo mos të jetë?
Dhe për çudi, të gjithë liderët e partive politike, kur gazetarët pyesin se çfarë qëndrimi keni për presidenten Vjosa Osmani, ata deklarohen kështu:
Ramush Haradinaj AAK
–Po me thënë të drejtën, Vjosa Osmani ka bërë një punë të mirë si presidente dhe afërsia e saj me Amerikën dhe partnerët ndërkombëtarë ka qenë e mirë dhe aty ku është Amerika jemi edhe ne si Kosovë dhe kjo nuk mund të kontestohet, thotë Ramushi.
Vlerësim i drejtë.
Bedri Hamza PDK
–Këqyre, sa i përket presidentes Vjosa Osmani, nuk mund të themi se ajo nuk ka bërë punë të mira në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ne jemi deklaruar që ku është interesi i Kosovës ajo do ta ketë përkrahjen tonë.
Edhe ky vlerësim pozitiv për presidenten Vjosa Osmani.
Lumir Abdixhiku LDK
–Vjosa Osmani ka pasur një përfaqësim dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare që ne nuk mund ta kontestojmë dhe ne nuk kemi marrë qëndrim kundër askujt nëse na propozohet një kandidat, e aq më tepër kur është në pyetje Vjosa Osmani.
Pra edhe ky nuk ka mendim të keq ose negativ.
Albin Kurti LVV
–Neve na duhet një kandidat konsensual që do t’i ketë 81 vota në Kuvend dhe kjo është arsyeja e moskandidimit të Vjosa Osmanit.
Pra po kërkojnë konsensus partiak brenda Kuvendit.
Donika Gërvalla GUXO
Po thonë që edhe Lista Guxo nuk po deklarohet sepse po presin konsensus.
Pra kështu qenka puna.
Të gjithë po kërkojnë konsensus.
Dëgjoni tash deklaratat në emër të partive të tyre:
PDK është e qartë në qëndrimin e saj, nuk kemi votë për Vjosa Osmanin pa një kandidat konsensual brenda ose jashtë vendit.
LDK është e qartë në qëndrimin e saj, pa një marrëveshje për një kandidat konsensual të partive politike.
AAK është e qartë në qëndrimin e saj dhe nuk do të marrim pjesë në votim për presidenten Vjosa Osmanin.
LVV është e qartë në qëndrimin e saj për presidenten sepse po kërkojmë konsensus në parlament dhe propozim ende nuk ka.
Pra të nderuar, të gjithë me qëndrime të qarta, e kuptoni, por vota nuk kanë.
Presidentja Vjosa Osmani e mirë, e zonja, e shkolluar, e ndershme, familjare, na ka përfaqësuar mirë, e mirë për amerikanët, e mirë për evropianët, e mirë për shumë burra shtetas të vendeve respektive perëndimore, e mirë për shumë personalitete brenda dhe jashtë vendit, e mirë edhe për shqiptaro-amerikanët dhe akademikët e Kosovës, e mirë për popullin e Kosovës dhe votuesit që po e kërkojnë çdo ditë, por nuk po bën për partitë tona politike se po kërkojnë konsensus mes vete.
Pra i gjithë ky konsensus dhe përkrahje për Vjosa Osmanin brenda dhe jashtë vendit, por jo për partitë tona politike. ABSURD.
Po mirë more zotërinj të nderuar, nëse këto vlera dhe përkrahje nuk janë konsensus për ju, atëherë keni një zgjidhje, ja propozoni Halil Matoshin, ja merrni Dritan Abazoviqin nga Mali i Zi.
Këta janë konsensual sepse e kanë mirë me të gjithë, sepse sipas kërkesave tuaja s’ka rëndësi nga është kandidati, vetëm Vjosa mos të jetë.
Një gjë në fund do t’ua them nga zhgënjimi im dhe opinioni që po e dëgjoj nga votuesit, sigurisht për aq rreth sa njoh dhe kontaktoj unë.
Të gjithë janë të zhgënjyer dhe pa marrë parasysh si do të vendosni, populli është ftohur dhe i zhgënjyer shumë.
E zgjodhët apo nuk e zgjodhët, Vjosa Osmani do të jetë presidente sepse është e merituar dhe populli po e do.
Mos sot, nesër, për momentin është e pakontestueshme dhe jo larg ajo do të zgjidhet nga populli e jo në parlament.
Pra ajo do të jetë presidente e Kosovës.
Ishte burrëri dhe mençuri e familjes së madhe Jashari që nuk pranuan të kandidohen për president.
Familja Jashari tërë jetën do të jenë PRESIDENTË e pakontestueshme e Kosovës.
Koha kalon shpejt dhe zgjedhje tjera do të vijnë dhe do të ndodhë që nga ky zhgënjim që ka marrë opinioni kosovar, dallimi në vota në mes partive politike nuk do të jetë më i madh se 10 përqind dhe tani do të gjeni konsensus se të gjithë do të jeni në qeveri dhe do të kënaqeni me pushtet.
Nuk ka si del ndryshe sepse kudo që shkon këto ditë nuk dëgjon tjetër përveç fjalëve:
Zoti më vraftë në dalsha ma për të votuar dhe ky është, mjerisht, realiteti.
Me respekt,
i zhgënjyeri
Sherif Fejzullahu