Gruaja ime ka frikë të pastrojë kasafortën’/ Banda e ‘skifterëve’ shqiptarë terrorizon Belgjikën

auto hajdutet1776158204

Tre anëtarë të një bande hajdutësh shqiptarë rrezikojnë deri në 54 muaj burg në Gjykatën Penale të Bryzhit në Belgjikë. Një çift i moshuar dëshmoi gjatë procesit për frikën që u ka mbetur pas grabitjes. Dy nga autorët u kapën pas një ndjekjeje, por jo pa u plagosur.

Më 29 mars 2023, Emanuel M. (28 vjeç) dhe Nermin M. (31 vjeç) hynë me forcë në një banesë në Bryzh. Kur banorët u zgjuan nga zhurma, u përballën papritur ballë për ballë me hajdutët. Shqiptarët tentuan të arratiseshin, por u arrestuan rreth dy orë më vonë. Gjatë arratisjes, ata ranë në serat e shërbimit të gjelbërimit dhe u plagosën, gjë që u konstatua edhe nga policia në momentin e arrestimit.

Hetimet treguan se kunetërit shqiptarë vepronin me një makinë të marrë me qira, tip Peugeot 308.

Nga baza e tij në Bruksel, Emanuel M. dyshohet se ka kryer dhjetë vjedhje dhe shtatë tentativa. Banda ka vepruar në qytete si Genk, Ostkamp, Torhut, Kortrijk, Bryzh dhe Midelkerke.

Në këtë të fundit, viktimë ra një çift i moshuar. Hajdutët hapën kasafortën dhe morën mbi 20.000 euro bizhuteri.

“Gruaja ime ende nuk guxon ta pastrojë kasafortën,” dëshmoi burri në gjyq. “Edhe unë kam frikë kur jam në zyrë dhe shoh shenjat e thyerjes në dritare”.

Palët e dëmtuara kërkuan së bashku mbi 100.000 euro dëmshpërblim.

Prokuroria kërkoi 4 vite burg për Emanuel M. Për rolin e tij në tentativën e vjedhjes në Bryzh, Nermin M. rrezikon 1 vit burg në mungesë.

Fation K. (35 vjeç), i cili merrte makina me qira për bandën dhe ishte shoferi i tyre i përhershëm, dyshohet për përfshirje në 13 raste dhe rrezikon 54 muaj burg. Ai është dënuar më parë në Belgjikë me 30 muaj burg.

Avokati i Emanuel M. kërkoi pafajësi për gjashtë nga rastet, ndërsa mbrojtja në përgjithësi kërkoi një dënim me kusht. Avokatja Nadia Lorenzetti propozoi që klienti i saj, Fation K., të dënohet maksimalisht me 3 vite burg.

Vendimi pritet të jepet më 11 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts