Protestat kundër zgjerimit të infrastrukturës së inteligjencës artificiale kanë marrë përmasa të reja në Amsterdam, ku qindra aktivistë janë mbledhur kundër ndërtimit të qendrave të mëdha të të dhënave.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë protestave të së dielës, më 8 nëntor, policia holandeze ka ndaluar rreth 150 deri në 200 persona, pas incidenteve në një kantier ndërtimi të lidhur me projektin e qendrës së të dhënave të Microsoft.
Protestuesit kundërshtojnë zgjerimin e këtyre objekteve, duke ngritur shqetësime për konsumin e madh të energjisë, përdorimin e karburanteve fosile dhe ndikimin mjedisor të infrastrukturës që mbështet zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Ngjarjet vijnë pas një incidenti të ngjashëm të së premtes, kur aktivistë arritën të hynin në kantierin e ndërtimit, ndërsa disa prej tyre u ngjitën në një vinç dhe shpalosën mesazhe kundër zgjerimit të qendrave të të dhënave.
Lëvizja kundër këtyre projekteve nuk është kufizuar vetëm në Holandë. Aktivistët kanë paralajmëruar veprime të koordinuara edhe në vende të tjera evropiane, duke kërkuar më shumë transparencë për ndikimin energjetik dhe ekologjik të teknologjive të reja.
Zhvillimet në Amsterdam rikthejnë në vëmendje debatin mbi koston mjedisore të inteligjencës artificiale, në një kohë kur kompanitë teknologjike po investojnë miliarda euro në ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave.


Leave a Reply