Komuna e Prishtinës ka nisur komunikimet me tre investitorë amerikanë të cilët kanë shprehur interesim për financimin dhe ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, një projekt që synon të përmirësojë ndjeshëm ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e kryeqytetit dhe komunat përreth.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka bërë të ditur se projekti ka kaluar disa nga fazat kryesore përgatitore, përfshirë studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e projektit. Gjithashtu, lokacioni për ndërtimin e spitalit është përcaktuar dhe është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal.
Megjithatë, realizimi i projektit ende nuk ka filluar, pasi nevojitet miratimi përkatës nga niveli qendror. Sipas Gashit, për këtë arsye Komuna po shqyrton edhe mundësinë e sigurimit të financimit përmes investitorëve amerikanë.
Interesimi i tre investitorëve është shprehur në kuadër të konferencës së investitorëve amerikanë të organizuar nga kryetari i Prishtinës. Komuna po vazhdon komunikimet me ta, me synimin që projekti të realizohet përmes bashkëpunimit dhe investimeve.
Ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit konsiderohet një projekt i rëndësishëm për sistemin shëndetësor, pasi Prishtina aktualisht nuk ka një spital të përgjithshëm rajonal që do t’u shërbente drejtpërdrejt banorëve të saj dhe komunave përreth.
Për momentin, projekti mbetet në fazën e sigurimit të kushteve institucionale dhe financiare, ndërsa nuk është bërë e ditur një datë konkrete për fillimin e punimeve.


Leave a Reply