Ekipi kosovar i esports, Bad News Eagles (BNE), ka dhënë sinjale për rikthimin në skenën profesionale të Counter-Strike, duke ngjallur entuziazëm te komuniteti i lojës dhe tifozët shqiptarë.
Përmes një publikimi në rrjetin social X, organizata ka paralajmëruar një kapitull të ri me mesazhin: “A new era. A new BNE. Coming soon” (Një epokë e re. Një BNE e re. Së shpejti). Njoftimi është shoqëruar me një video të shkurtër, por pa zbuluar ende detaje konkrete rreth projektit të ardhshëm.
Bad News Eagles u formua në vitin 2022 dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej historive më të veçanta të esports në Kosovë. Ekipi arriti të shkruante histori duke u bërë i pari nga Kosova që kualifikohej në një turne Major të Counter-Strike, përkatësisht PGL Major Antwerp 2022, ku arriti edhe në fazën “Legends”.
Arritjet e tyre nuk u ndalën me kaq. BNE siguroi pjesëmarrjen në tri turne Major radhazi: Antwerp, Rio dhe Paris, duke fituar njohje edhe në skenën ndërkombëtare të kësaj loje.
Formacioni që u bë i njohur për tifozët përbëhej nga Dionis “sinnopsyy” Budeci, Flatron “juanflatroo” Halimi, Genc “gxx-” Kolgeci, Rigon “rigoN” Gashi dhe Sener “SENER1” Mahuti.
Pas një periudhe nën organizatën britanike Guild Esports, ekipi u rikthye me emrin Bad News Eagles në shkurt të vitit 2025, por disa muaj më vonë projekti u ndërpre sërish.
Tani, paralajmërimi i ri ka rikthyer vëmendjen te “Shqiponjat”, ndërsa mbetet të shihet nëse BNE do të rikthehet me formacionin e dikurshëm apo me emra të rinj. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura as përbërja e ekipit dhe as data e rikthimit në gara.


Leave a Reply