Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar, gjatë Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet më 5 dhe 6 nëntor në Budva të Malit të Zi.
Në fokus të takimit kanë qenë kërcënimet e reja që lidhen me krimin në internet, mashtrimet digjitale, sulmet kibernetike dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja për aktivitete kriminale.
Përfaqësuesit e BE-së dhe vendeve të rajonit kanë diskutuar gjithashtu për nevojën e forcimit të kontrollit kufitar, luftimin e kontrabandës me migrantë dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Një tjetër temë e rëndësishme ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe lidhjeve ndërmjet zyrtarëve të korruptuar dhe grupeve të krimit të organizuar. BE-ja ka theksuar rëndësinë e hetimeve efektive, ndjekjes penale dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar përmes aktiviteteve kriminale.
Në takim është diskutuar edhe mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi në internet, përfshirë rreziqet që lidhen me përmbajtjet e krijuara përmes inteligjencës artificiale.
Forumi synon të forcojë koordinimin ndërmjet vendeve të rajonit dhe institucioneve evropiane, në një kohë kur kërcënimet kriminale po bëhen gjithnjë e më ndërkufitare.


Leave a Reply