FC Prishtina 01, është fituese e Kupës së Kosovës në futsall për edicionin 2025/26, pasi në finalen e zhvilluar ndaj FC Liqenit triumfoi me rezultat bindës 6:3.
Finalja, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe me prani të madhe të tifozëve, ofroi spektakël të vërtetë në parket, me ritëm të lartë loje dhe rivalitet të fortë sportiv nga të dyja skuadrat.
Pjesa e parë ishte shumë dinamike dhe prodhoi plot shtatë gola. FC Prishtina 01 arriti të shkojë në pushim me epërsi 4:3, ku të dyja ekipet treguan efikasitet të lartë në fazën ofensive.
Për FC Liqenin, Camilo Sanchez realizoi dy gola, ndërsa një herë shënoi edhe Arbër Shkodra. Në anën tjetër, për bardhekaltërit dy gola i realizoi Drilon Maxharraj, ndërsa nga një gol kontribuuan Jeton Rukovci dhe Ari Kaqanolli.
Në pjesën e dytë, FC Prishtina 01 administroi më mirë lojën dhe u tregua më e saktë në finalizim, duke shënuar edhe dy herë të tjera. Maxharraj realizoi golin e pestë, duke kompletuar het-trikun e tij, ndërsa Fitim Krasniqi vulosi rezultatin përfundimtar 6:3.
FC Liqeni, përkundër disfatës, shfaqi paraqitje dinjitoze dhe konkurruese deri në fund, duke kontribuar në një finale cilësore dhe me frymë të lartë të ‘fair-play’-it.
Me këtë triumf, FC Prishtina 01 e fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë në historinë e klubit, duke konfirmuar vazhdimësinë e sukseseve dhe rolin e saj si një nga skuadrat më të spikatura në futsallin kosovar.
Në fund trofeun për ekipin fitues dhe medaljet i ndanë Samir Ujkani, anëtar i KE të FFK-së dhe Hysni Gjinovci kryetar i Komisionit të Futsallit.
