I dyshuari për vrasjen e regjistruar në orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjakovë është vetëdorëzuar në polici. Lajmin e konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, viktima dhe autori ishin shokë dhe ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali pas një konflikti rreth orës 05:30 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Nga kjo ngjarje është plagosur edhe vëllai i viktimës, rreth moshës 29 vjeç.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka bërë me dije se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale, përfshirë disa gëzhoja dhe një armë e ftohtë.
“Atë që mund ta ndajmë tani, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun, duke qenë se jemi në fazën fillestare të hetimeve”, ishte shprehur Elezaj.