Një shqiptar është arrestuar pasi akuzohet për tentativë vrasjeje dhe vjedhje në bashkëpunim me një të mitur ndaj një bashkëatdhetari të dielën e 15 shkurtit në Priaruggia të Genovas.
Bëhet fjalë për Elton Voglin ndaj të cilit gjyqtarja për hetimet paraprake në Gjenova, Martina Tosetti, vendosi sot mbajtjen në paraburgim.
Hetuesit kanë rikonstruktuar ngjarjen: Vogli fillimisht ka goditur bashkatdhetarin me grushte dhe më pas me një armë të mprehtë, duke shkaktuar plagë të rënda në qafë dhe kraharor. Shqiptari 40-vjeçar u gjet i shtrirë në gjak dhe u dërgua në spitalin Ospedale Policlinico San Martino, ku iu nënshtrua një operacioni.
Ishte i vëllai i të arrestuarit që telefonoi policinë pasi mori mesazhe dhe foton e divanit të njomur me gjak me mbishkrimin: “E kam vrarë, mos telefononi policinë” në ËhatsApp
Kur karabinierët mbërritën në banesë, thyen derën dhe gjetën viktimën ende gjallë, duke kërkuar ndihmë. Në banesë u gjetën gjithashtu gjurmë kokainë e heroinë.
Prokuroria pretendon se Vogli ka përdorur një 17 vjeçare për përfitim të paligjshëm. E mitura kishte disa javë që qëndronte në banesën e 40 vjeçarit, ndërsa të dielën ishte shfaqur me Elton Voglin.
Policia ka sekuestruar telefonin e Voglit ku u gjetën foto të banesë së viktimës. Edhe kamerat e sigurisë kanë regjistruar largimin e tyre nga vendi i ngjarjes.
Para gjyqtares Tosetti, Vogli përdori të drejtën për të mos dhënë përgjigje. Në vendimin e konfirmimit, gjyqtarja thekson seriozitetin e ngjarjes dhe qëndrimin e të arrestuarit pas sulmit: ai ka shfaqur krenari për veprën, duke u shfaqur i buzëqeshur në video-thirrje me vëllain.
Hetimet vijojnë për të sqaruar motivin dhe rolin e të miturës në ngjarjen që tronditi lagjen e Priaruggias.