Shqipëria përgatit investimin e ri në energji diellore, 300 MW kapacitet dhe bateri për ruajtjen e energjisë

Shqipëria po përgatitet të ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit energjetik, përmes organizimit të një ankandi të ri për ndërtimin e kapaciteteve fotovoltaike me fuqi prej 300 megavatësh (MW), të cilat do të shoqërohen edhe me sisteme moderne për ruajtjen e energjisë elektrike.

Nisma e re do të mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të asistojë autoritetet shqiptare në hartimin dhe zbatimin e procedurave të ankandit, përzgjedhjen e investitorëve dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për funksionimin e sistemeve të baterive.

Një prej elementeve më të rëndësishme të projektit është kombinimi i prodhimit të energjisë diellore me bateritë industriale. Kjo teknologji mundëson ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë orëve me diell dhe përdorimin e saj në periudhat kur prodhimi bie ose kërkesa për energji rritet.

Ky zhvillim synon të zvogëlojë varësinë e Shqipërisë nga prodhimi hidroenergjetik, i cili ndikohet ndjeshëm nga reshjet dhe kushtet klimatike.

Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria synon që deri në vitin 2027 të kontraktojë të paktën 600 MW kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme përmes ankandeve konkurruese.

BERZH ka mbështetur më herët katër raunde ankandesh në Shqipëri, përmes të cilave janë kontraktuar mbi 800 MW kapacitete të energjisë së ripërtëritshme.

Projekti i ri pritet të krijojë mundësi për investime private në sektorin energjetik dhe të përshpejtojë modernizimin e sistemit elektrik shqiptar.