Qendrat për Punë Sociale në Kosovë po përballen me mungesë të theksuar të stafit profesional dhe kushteve elementare për punë, duke vështirësuar ofrimin e shërbimeve për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.
Një nga problemet më shqetësuese është ngarkesa e madhe e punonjësve socialë, të cilët në shumë raste duhet të trajtojnë qindra raste njëkohësisht.
Në Prishtinë, sipas drejtoreshës së Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti, janë vetëm 15 punonjës socialë, ku secili prej tyre obligohet të trajtojë me qindra raste. Në disa raste, numri arrin deri në 300 për një punonjës.
Gjendja nuk është më e mirë as në Fushë-Kosovë. Qendra për Punë Sociale në këtë komunë funksionon me vetëm katër punonjës socialë dhe pa psikolog, ndërsa përballet edhe me mungesë të automjeteve dhe kompjuterëve.
Drejtori i kësaj qendre, Abaz Xhigolli, ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga institucionet komunale shtimin e stafit dhe përmirësimin e kushteve të punës, pasi numri aktual i punonjësve nuk është i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
Përveç mungesës së personelit, qendrat përballen edhe me probleme infrastrukturore. Në Fushë-Kosovë, qasja në objekt paraqet vështirësi, pasi punonjësit dhe qytetarët detyrohen të kalojnë përmes një parcele private.
Këto institucione kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve, familjeve në nevojë, viktimave të dhunës dhe personave që kanë nevojë për përkujdesje sociale.
Megjithatë, me një numër kaq të kufizuar punonjësish dhe mungesë të kushteve elementare, lindin pikëpyetje serioze për cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve që mund t’u ofrohen qytetarëve.


Leave a Reply