Çmimet e konsumit në Kosovë kanë vazhduar të rriten, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme për qytetarët. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në shtator 2026 ka arritur në 7.8 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Ndërkohë, krahasuar me gushtin e këtij viti, çmimet kanë shënuar rritje mujore prej 0.2 për qind.
Rritja më e theksuar është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë rritur për 23.9 për qind. Një tjetër kategori që ka shënuar shtrenjtim të ndjeshëm është ajo e banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me rritje prej 11.9 për qind.
Sipas ASK-së, rritje është regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani me 6.3 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.2 për qind, ndërsa shërbimet shëndetësore janë shtrenjtuar për 4.5 për qind.
Edhe produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike kanë shënuar rritje prej 2.4 për qind, duke shtuar presionin mbi shpenzimet familjare.
Shifrat tregojnë se shtrenjtimi nuk po kufizohet vetëm te produktet që blihen në markete, por prek edhe transportin, banimin dhe shërbimet bazë.
Për familjet me të ardhura të kufizuara, këto rritje nënkuptojnë më pak fuqi blerëse dhe më shumë vështirësi për të mbuluar shpenzimet mujore. Në këtë situatë, mbetet sfidë për institucionet që të ndërmarrin politika që mbrojnë standardin e jetesës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.


Leave a Reply