Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar dy rezoluta të propozuara gjatë vazhdimit të seancës plenare të mbajtur të enjten, më 26 nëntor, të cilat trajtonin çështje të rëndësishme për qytetarët.
Rezoluta e parë kishte të bënte me mungesën e barnave në institucionet shëndetësore, pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Kjo çështje u rikthye në vëmendje pas rastit të një pacienteje me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa një nga barnat e nevojshme për trajtimin e saj.
Për këtë rezolutë votuan 27 deputetë pro, ndërsa 49 kundër, duke bërë që ajo të mos kalojë.
Ndërkaq, nuk mori mbështetjen e nevojshme as rezoluta që lidhej me situatën në sektorin e energjisë elektrike, përkatësisht me planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji. Për këtë të fundit votuan 27 deputetë pro dhe 51 kundër.
Mosmiratimi i të dy rezolutave vjen në një kohë kur çështjet e furnizimit me barna dhe kostot e energjisë vazhdojnë të jenë ndër temat me interes të madh publik në Kosovë.


Leave a Reply