Stafi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad është vënë në shënjestër nga “sulme të përsëritura me dronë”, të ndërmarra nga një milici irakiane pranë aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas raportimit të CNN.
Autoritetet amerikane konfirmuan sot incidentin, i cili ndodhi të mërkurën, pa specifikuar se cili grup dyshohet si përgjegjës. Megjithatë, zyrtari theksoi se “i gjithë personeli është i sigurt”.
Burimet amerikane: “Nuk jemi dakord për çfarë të negociojmë”.
“Nuk jemi ende dakord për çfarë të negociojmë”. Kështu ka deklaruar një zyrtar amerikan, i cituar nga Axios, në prag të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Pakistan, duke nënvizuar mosmarrëveshjet e thella që vazhdojnë të ekzistojnë mbi vetë përmbajtjen e negociatave.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, është nisur drejt Islamabadit për të udhëhequr bisedimet, në atë që cilësohet si momenti më delikat i karrierës së tij politike. Ky konsiderohet si niveli më i lartë i kontaktit të drejtpërdrejtë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga viti 1979. Një tjetër zyrtar amerikan e ka përshkruar misionin si “një sfidë të madhe për JD”, duke e krahasuar me “të luash në Super Bowl”, për të theksuar rëndësinë politike të tij.