Raporti Botëror i Lumturisë 2026, i publikuar nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, ofron një vështrim gjithëpërfshirës mbi nivelin e lumturisë në mbarë botën, duke u bazuar në të dhëna nga 147 vende.
Shteti më i lumtur në rajon është Kosova, e 16-a në botë, nga vendi i 29, që ishte vitin e mëparshëm. Pas Kosovës vijon Serbia, që renditet në vendin e 30, Bosnjë-Hercegovina në vendin e 47, Mali i Zi në vendin e 60, Maqedonia e Veriut, në vendin e 82. Bosnja dhe Mali i Zi kanë një përmirësim me 10 vende nga viti i mëprshëm.
Të rinjtë janë më të lumtur
Të dhënat historike tregojnë se indeksi i lumturisë ka shënuar një përmirësim të lehtë vitet e fundit, i ndikuar kryesisht nga të rinjtë, duke arritur në nivelet e 2011-s, kur ishte shënuar dhe rezultati më i mirë deri tani.
Ky është një zhvillim pozitiv, teksa raporti i lumturisë tregon se Shqipëria renditet në vendin e shtatë për ndryshimin pozitiv të indeksit tek të rinjtë nën 25 vjeç nga 2006-2010 në 2023-2025.
Bota
Finlanda kryeson sërish si vendi më i lumtur në botë në raportin e vitit 2026, duke ruajtur këtë pozicion për të nëntin vit radhazi.
Së bashku me Islandën dhe Danimarkën, ajo konfirmon se besimi i lartë tek institucionet dhe cilësia e jetesës janë ndër faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e mirëqenies së qytetarëve.
Përtej Europës, Kosta Rika dhe Meksika dallohen si raste të veçanta, duke u renditur mes vendeve më të lumtura në botë dhe duke lënë pas shumë ekonomi më të pasura. Kosta Rika është ngjitur në vendin e katërt – rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga një vend i Amerikës Latine – ndërsa Meksika ka bërë një kërcim të fortë, duke u ngjitur në vendin e 12-të nga vendi i 36-të që mbante në vitin 2022.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e 23-të, një nga pozicionet më të ulëta në historinë e tyre.
Kjo vjen në vijim të një tendence rënëse që është vërejtur gjatë 15 viteve të fundit. Nga vendi i 11-të në vitin 2011, SHBA-ja ka rënë gradualisht, duke arritur nivelin më të ulët në vitin 2024, në vendin e 24-t. Një nga arsyet kryesore është përkeqësimi i mirëqenies te të rinjtë amerikanë, i lidhur shpesh me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale dhe përkeqësimin e shëndetit mendor.
Në Lindjen e Mesme, Izraeli renditet në vendin e tetë, duke qenë vendi më i mirë i pozicionuar në rajon, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin e 21-të dhe Arabia Saudite në vendin e 22-të. Ndërsa në Azi, Tajvani është i vetmi vend që renditet në 30-shen më të mirë globale, duke zënë vendin e 26-të.
Në fundin e tabelës, Afganistani renditet si vendi më pak i lumtur në botë, i ndjekur nga Sierra Leone dhe Malawi. Prej vitesh, paqëndrueshmëria politike, lufta dhe kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive kanë thelluar ndjesinë e pasigurisë dhe mungesës së shpresës në vend.