Grupet ultranacionaliste në Serbi mbështesin Iranin, të njëjtat nxisin sulme ndaj bazës amerikane në Kosovë

auto ttt 2 600x3601773386676 1

Në Serbi, një pjesë e grupeve ultranacionaliste dhe të ekstremit të djathtë në rrjetet sociale po mbështesin hapur Iranin pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Këto grupe, të cilat prej kohësh promovojnë narrativë anti-perëndimore dhe pro-ruse, kanë publikuar mesazhe në mbështetje të Teheranit dhe madje kanë bërë thirrje për sulme ndaj bazës ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë.

Kanale të ndryshme në platformën Telegram, me dhjetëra mijëra ndjekës, kanë komentuar pothuajse çdo ditë zhvillimet e luftës, duke e paraqitur Iranin si një aleat në “luftën globale kundër Perëndimit”. Sipas analistëve, kjo retorikë është pjesë e një diskursi më të gjerë anti-NATO dhe anti-amerikan që është i pranishëm prej vitesh në një segment të së djathtës radikale serbe.

Një nga figurat që shpërndan rregullisht përmbajtje të tillë është Dejan Berić, një shtetas serb që më parë ka luftuar në Ukrainë në anën e Rusisë. Kanali i tij në Telegram, i ndjekur nga më shumë se 100 mijë persona, publikoi postime të shumta që nga fillimi i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Në këto postime shpërndahen deklarata të zyrtarëve iranianë, video të bombardimeve në Izrael dhe narrativa propagandistike kundër Shteteve të Bashkuara.

Berić gjithashtu ka pretenduar se kufizimet e vendosura nga kompania amerikane e imazheve satelitore “Planet Labs” për publikimin e fotografive nga Lindja e Mesme nuk janë bërë për të penguar Iranin, por për të fshehur dëmet që sipas tij kanë pësuar SHBA-ja dhe aleatët e saj.

Ndërkohë, disa kanale të tjera në Telegram kanë shkuar edhe më tej duke bërë thirrje që Irani të sulmojë bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë. Në disa prej postimeve janë publikuar edhe koordinatat e bazës dhe lidhje me hartat digjitale që tregojnë vendndodhjen e saj.

Eksperti i sigurisë dhe studiuesi Hikmet Karçiq vlerëson se mbështetja e këtyre grupeve për Iranin nuk buron domosdoshmërisht nga afërsia ideologjike me regjimin iranian, por nga kundërshtimi i fortë ndaj Perëndimit.

“Sipas këtij perceptimi, çdo aktor që është në konflikt me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre shihet si një aleat i mundshëm”, thotë ai.

Karçić shton se grupet ultranacionaliste përpiqen t’i lidhin konfliktet globale me çështje lokale, veçanërisht me Kosovën. Në këtë kontekst, baza Bondsteel përmendet shpesh si simbol i pranisë amerikane në rajon.

Mbështetja për Iranin është shfaqur edhe në terren. Më 7 mars në Beograd u organizua një tubim i vogël në mbështetje të popullit iranian nga organizata e djathtë “Lëvizja Konservatore Nashi”. Në tubim u shfaqën flamuj të Iranit dhe Bjellorusisë, ndërsa organizatorët shprehën solidaritet me Teheranin dhe me vendet që, sipas tyre, “kundërshtojnë dominimin perëndimor”.

Konflikti në Lindjen e Mesme u përshkallëzua më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj objektivave në Iran. Në këto sulme u vra udhëheqësi suprem iranian Ali Hamnei dhe disa zyrtarë të lartë. Irani reagoi duke lëshuar dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe ndaj bazave ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet iraniane, gjatë dy javëve të para të konfliktit janë bombarduar mijëra objekte civile dhe janë vrarë mbi 1.300 civilë. Nga ana tjetër, Pentagoni njoftoi se disa ushtarë amerikanë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane.

Analistët paralajmërojnë se narrativa e përhapur nga grupet ekstremiste në rrjetet sociale përforcon propagandën anti-perëndimore dhe përpiqet ta lidhë konfliktin global me tensionet politike në Ballkan. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts