Po arratisej pas një grabitje të shkuar keq, vdes shqiptari në Itali

auto Screenshot 61771098084

Një 46-vjeçar shqiptar ka humbur jetën gjatë arratisjes pas një tentative vjedhjeje në një vilë në kodrat e Arezzos, në Itali. Viktima është identifikuar si Arben Kristea, banues në rajonin e Lazios dhe me precedentë penalë.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Karabinieret, shqiptari ka ndërruar jetë si pasojë e një shoku hemorragjik, pasi ka prerë arterien femorale gjatë përplasjes me një gardh metalik kundër derrave të egër, teksa po përpiqej ta kapërcente për t’u larguar nga vendngjarja.

Ngjarja ka ndodhur në Gorello, një zonë kodrinore pranë Arezzos. Tre persona dyshohet se kishin shënjestruar disa banesa mbi rrugën shtetërore 71 drejt Valdichianës.

Rreth orës 20:39 ka rënë alarmi në vilën e shënjestruar, e cila në atë moment ishte bosh, pasi pronarët mungonin. Në vendngjarje ka ndërhyrë kunati i tyre, që banon në një apartament brenda të njëjtës pronë. Ai ka marrë një armë zjarri të regjistruar rregullisht dhe ka qëlluar dy herë në ajër për qëllime paralajmëruese.

Pas të shtënave, autorët janë larguar me shpejtësi, duke lënë pas një pjesë të sendeve të vjedhura. Gjatë kapërcimit të gardhit prej hekuri, 46-vjeçari është plagosur rëndë, ndoshta pasi ka rrëshqitur, duke pësuar një prerje të thellë që rezultoi fatale. Ai është rrëzuar mes rreshtave të një vreshti, ku u gjet pa jetë nga karabinierët, të cilët ndodheshin në zonë për një tjetër vjedhje të raportuar.

Trupi u transportua në morgun e spitalit ‘San Donato’ për kryerjen e autopsisë. Hetimet po koordinohen nga prokurorja Angela Masiello, ndërsa në vendngjarje ka kryer inspektim edhe kryeprokurorja Gianfederica Dito.

Aktualisht, rasti po cilësohet si ngjarje aksidentale dhe, sipas autoriteteve, nuk rezultojnë elementë përgjegjësie penale ndaj banorëve të vilës. Dinamika e plagës dhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje mbështesin versionin e dhënë nga pronarët.

Automjeti i përdorur për arratisje, një sedan i vjedhur, është gjetur mëngjesin e sotëm përgjatë rrugës 71, pranë vendit të ngjarjes. Ekspertizat mbi mjetin pritet të ndihmojnë në identifikimin e bashkëpunëtorëve, të cilët janë ende në kërkim.

Në zonë, e cila prej kohësh është përballur me vjedhje dhe tentativa grabitjeje, banorët kishin organizuar takime dhe kishin krijuar një grup komunikimi për të sinjalizuar raste të dyshimta. Në rrjetet sociale ka reaguar edhe zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, i cili ka shkruar: ‘Më vjen keq, por vetëmbrojtja është gjithmonë legjitime’.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts