Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur të mos ndryshojë masën e paraburgimit ndaj biznesmenit Valon Lluka, pasi ka refuzuar ankesën e tij kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai po hetohet për katër vepra penale, përfshirë mashtrimin.
Sipas vendimit të gjykatës, Lluka do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, periudhë që nis më 7 tetor dhe përfundon më 6 nëntor 2026.
Biznesmeni u ndalua më 7 tetor, me urdhër të Prokurorisë së Kosovës, ndërsa dy ditë më vonë, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Valon Lluka dyshohet për veprat penale të mashtrimit lidhur me përfitimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar, mashtrimit, lidhjes së kontratës së dëmshme dhe shpërdorimit të pasurisë së huaj. Hetimet për këto dyshime vijojnë, ndërsa përgjegjësia e tij penale mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia.
Lluka ka mbajtur më herët pozicionin e drejtorit në kompaninë Mabetex Holding, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, si dhe atë të administratorit të shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Emri i tij është përfshirë më parë në një përplasje publike me Pacollin, pas largimit nga drejtimi i shoqërisë koncesionare në vitin 2025. Në atë kohë, Lluka deklaroi se kishte refuzuar të firmoste një dokument që, sipas tij, do ta bënte kompaninë garantuese për një kredi prej 100 milionë eurosh.
Nga ana e tij, Pacolli e akuzoi publikisht ish-bashkëpunëtorin për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh, pretendime që Lluka i mohoi.
Në deklarimet e mëvonshme, Pacolli ngriti gjithashtu pikëpyetje për disa transaksione financiare, përfshirë pagesa mbi 1.5 milionë euro dhe një transfertë prej rreth 1.6 milionë eurosh drejt një kompanie në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas tij, nuk ishin kryer.


Leave a Reply