Vetëm 7.35.% e individëve në Kosovë kishin blerë në internet bileta për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve përpara vrojtimit të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat-it.
Përqindja është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve kishin blerë bileta online.
Në BE më shumë se një në katër persona përdor internetin për të siguruar bileta për evente, ndërsa në Shqipëri këtë e bën më pak se një në 11 persona.
Eurostat raporton se në krahasim me vitin 2024, pesha e qytetarëve të BE-së që blenë bileta online u rrit me 3.8 pikë përqindje, e nxitur nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i koncerteve e festivaleve në kalendarin kulturor europian.
Shqipëria pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut
Përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i kufizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në rajon, përqindjen më të lartë e kishte Serbia, ku 11.4% e individëve kishin blerë bileta online për evente, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 10.8%.
Ndërsa Shqipëria renditej më pas me 8.6%, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën, me 7.4%, Kosovën me 7.35% dhe Malin e Zi me 6%.
Edhe Turqia kishte një nivel më të ulët se Shqipëria, me 6.2%.
Diferenca është e dukshme edhe me vendet fqinje të BE-së. Në Greqi, 38.9% e individëve kishin blerë bileta online, më shumë se katër herë niveli i Shqipërisë.
Në Kroaci përqindja ishte 28.3%, në Slloveni 20.9%, ndërsa në Bullgari 11.4%. Italia, pavarësisht tregut shumë më të madh të koncerteve dhe aktiviteteve kulturore, kishte një nivel relativisht të ulët për standardet e BE-së, prej 14.2%.
Ndër vendet europiane për të cilat ka të dhëna, Irlanda kishte përqindjen më të lartë, me 51.5% të individëve që kishin blerë bileta online.
Pas saj renditej Norvegjia, me 50.3%, Holanda me 48.1% dhe Danimarka me 47.9%. Në Finlandë përqindja ishte 44.2%, në Zvicër 42.2%, ndërsa në Greqi 38.9%.
