Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kaluar në frymë konstruktive, por pa arritur ndonjë marrëveshje politike.
Pas takimit, Kurti tha se me drejtuesit e LDK-së kanë diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndajmë shumë brenga, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë normale dhe të shërbejnë për komunikim e bashkëpunim, pavarësisht dallimeve politike.
Ai bëri të ditur se ende nuk ka marrëveshje me LDK-në, por shtoi se komunikimi dhe takimet do të vazhdojnë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që garanton stabilitet institucional.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi Kurti.
Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, ndonëse, sipas tij, asnjëra palë nuk i dëshiron ato.
Kurti foli edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar emra konkretë me LDK-në dhe se synon një kandidat gjithëpërfshirës, jashtë polemikave partiake, i cili do të gëzonte mbështetje të gjerë në Kuvend.
Ndërkaq, Kurti kritikoi kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, duke thënë se, pavarësisht gatishmërisë së tij për takim, një takim i tillë nuk është realizuar. Po ashtu, tha se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar çështjet që lidhen me zgjidhjen e situatës politike./ RTK.
