Rritja e përdorimit të duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë në Kosovë po konsiderohet gjithnjë e më shqetësuese. Me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, organizatat që veprojnë në këtë fushë bëjnë thirrje për veprime urgjente.
Aleanca për të Ardhmen Pa Duhan e Nikotinë ka publikuar një komunikatë, ku ngre alarmin për trendin në rritje të përdorimit të këtyre produkteve tek fëmijët dhe adoleshentët.
“Sipas të dhënave të GYTS 2025, 23.5% e nxënësve të moshës 13-15 vjeç përdorin aktualisht produkte duhani, ndërsa 11.2% pinë aktualisht cigare. Trendi tregon një rritje alarmuese krahasuar me vitet paraprake, me ndikim të veçantë nga cigaret elektronike dhe produktet e reja të nikotinës”, thuhet në komunikatë.
Aleanca kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe shoqëria për të frenuar këtë dukuri.
“Aleanca kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe shoqëror për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, përfshirë ndalimin e shitjes së cigareve, vape-ve dhe produkteve të nikotinës pranë shkollave, zbatim më të rreptë të ligjit dhe edukim të vazhdueshëm në shkolla”, theksohet në reagim.
Këto shqetësime vijnë në Ditën Botërore Pa Duhan, e cila shënohet çdo vit më 31 maj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj në mbarë botën.
Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i duhanit dhe promovimi i politikave efektive për uljen e konsumit të tij. Sivjet, fushata globale zhvillohet nën moton “Zotohu dhe lëre”, duke u fokusuar në mbështetjen e personave që dëshirojnë ta lënë duhanin.
OBSH rikujton se duhani mbetet një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo-ngjitëse, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabetin. Përfitimet e lënies së duhanit fillojnë pothuajse menjëherë, pasi përmirësohen rrahjet e zemrës, niveli i oksigjenit në gjak dhe funksioni i mushkërive.
Po ashtu, OBSH thekson se duhanpirësit kanë shumë më tepër gjasa të heqin dorë me sukses nga duhani kur marrin mbështetje profesionale dhe këshillim nga punonjësit shëndetësorë.
Në nivel global, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës, ndërsa Evropa vazhdon të regjistrojë normat më të larta të konsumit të duhanit. Në këtë kontekst, organizatat shëndetësore vlerësojnë se mbrojtja e të rinjve nga produktet e duhanit dhe nikotinës duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe shoqërisë në tërësi.
