Mbi 21 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve nga diaspora, KQZ jep detaje për aplikimet e aprovuara

kqz 3 1333x1000 1

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri të premten më 8 maj në ora 09:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 21,378 kërkesa për regjistrim të votuesve nga diaspora.

Nga këto aplikime, 9,149 janë aprovuar, 1,037 janë refuzuar, ndërsa 11,187 të tjera janë ende në pritje të shqyrtimit.

KQZ ka bërë të ditur se nga aplikimet e aprovuara, 2,284 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 239 janë përcaktuar për dërgimin e pakos me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 6,626 janë regjistruar për të votuar përmes postës jashtë Kosovës.

Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, përfshirë 33 ambasada dhe 15 konsullata. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik në këto qendra është 66,450.

KQZ ka sqaruar se kufizimi i numrit maksimal vlen vetëm për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, ndërsa numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim me postë është i pakufizuar.

Në njoftim thuhet se, në rast se plotësohet numri maksimal i votuesve për votim fizik, aplikuesit do të orientohen drejt mënyrave të tjera të votimit përmes postës, sipas kohës së aplikimit.

Po ashtu, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, KQZ ka bërë ndryshime në rregullat për votimin jashtë Kosovës. Një nga kriteret e reja është numri minimal prej 50 votuesish të regjistruar për organizimin e votimit fizik në një përfaqësi diplomatike.

Nëse në një përfaqësi diplomatike regjistrohen më pak se 50 votues, votimi fizik nuk do të organizohet dhe votuesit do të kalojnë automatikisht në statusin e votimit përmes postës, për çka do të njoftohen nga KQZ-ja.

Institucioni zgjedhor ka rikujtuar gjithashtu se për votuesit e regjistruar për votim me postë, pakot me fletëvotim do të dërgohen nga vetë KQZ-ja, njësoj si në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare.

The New Mediteran Hotel - Villa Edition (Ulqin)
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts