Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile.
I dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skënderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur gjashtëmbëdhjetë 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avoktatit sipas autorizimit dhe me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit 48-orë.