Disa të verbër përdorin jehonën që kthehet nga kërcitjet që bëjnë me gojë për të perceptuar mjedisin përreth, një aftësi e njohur si ekolokacion. Në një studim të ri të publikuar në eNeuro, Haydee Garcia Lazaro dhe Santani Teng nga Smith-Kettlewell Eye Research Institute shqyrtuan se si truri i njeriut krijon përfaqësime të hapësirës përreth duke përdorur ekolokacionin.
Studiuesit zbuluan fillimisht se katër persona të verbër, të aftë në përdorimin e ekolokacionit, mund të përcaktonin vendndodhjen e objekteve më saktë sesa 21 persona me shikim normal në një dhomë të errët. Saktësia në përdorimin e ekolokacionit u rrit sa më shumë kërcitje me gojë krijonin këta ekspertë.
Studiuesit lidhën gjithashtu aktivitetin nervor në tru me aftësinë e personave të verbër për të përcaktuar vendndodhjen e objekteve. Ky aktivitet, së bashku me matjet e sjelljes, forcohej gjatë serive të kërcitjeve, duke çuar në përcaktim më të saktë të pozicionit të objekteve. Siç shpjegon Garcia-Lazaro: “Në thelb, zbuluam se, tek disa ekspertë, duket se ndodh një grumbullim informacioni në tru, që ndërtohet nga kërcitja në kërcitje dhe ndihmon në përcaktimin e vendndodhjes së objekteve.”
Sipas studiuesve, ky studim tregon se si truri përdor informacionin e përsëritur të tingullit për të krijuar një përfaqësim të mjedisit edhe në mungesë të shikimit. Garcia-Lazaro shprehet e entuziazmuar për hapat e ardhshëm të kërkimit, të cilët përfshijnë zbulimin e faktorëve që i bëjnë disa persona të verbër shumë të aftë në ekolokacion dhe mundësinë për të trajnuar si personat e verbër ashtu edhe ata me shikim për të zhvilluar këtë aftësi.