Shtetasit shqiptarë vijojnë të jenë ndër grupet më të përfaqësuara të të huajve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, sipas të dhënave të fundit dhe një hetimi të publikuar nga media britanike The Sun.
Sipas shifrave të Ministrisë së Drejtësisë, deri në shtatorin e kaluar, 1,865 persona nga Shqipëria janë dërguar në burg në Britani. Ndërkohë, shqiptarët përbëjnë rreth 9% të totalit të të huajve të burgosur, nga një numër prej mbi 75 mijë të burgosurish në total.
Një analizë e veçantë tregon se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 58 shtetas shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burg, për vepra që variojnë nga trafiku i lëndëve narkotike deri te kontrabanda e personave.
Sipas ligjit britanik, shtetasit e huaj që dënohen me 12 muaj ose më shumë burg përballen automatikisht me masa dëbimi nga vendi pas vuajtjes së dënimit. Në këtë kuadër, autoritetet britanike kanë intensifikuar procedurat për largimin e të huajve me precedentë kriminalë.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se që nga zgjedhjet e vitit 2024 janë larguar ose deportuar mbi 58,500 emigrantë të paligjshëm dhe shtetas të huaj të dënuar për vepra penale.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë një marrëveshje për transferimin e të dënuarve, e cila parashikon që shtetasit shqiptarë të dënuar me katër vite ose më shumë burg të mund të dërgohen në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Autoritetet britanike kanë njoftuar gjithashtu ndryshime ligjore të propozuara, të cilat synojnë të lejojnë deportimin e të burgosurve të huaj edhe më herët gjatë dënimit të tyre, krahasuar me rregullat aktuale.