Astrit Berisha, një shtetas shqiptar dëshmitar i ngjarjes tragjike të ndodhur në Zvicër, ku 6 persona humbën jetën pasi një autobus u përfshi nga flakët ka dëshmuar për Syri TV çfarë pa pasditen e djeshme në qytetin Friburgun. Ai thotë se mes personave të lënduar ka qenë dhe një shqiptar.
Në momentin që ka shpërthyer zjarri, policia kanë qenë prezent këtu te unë. Në momentin që fola me ta e kanë pasur një thirrje në radio e thanë, ka shpërthyer një zjarr në qytet, 300 metra prej këtu. Dhe menjëherë kanë vënë alarmin. Kur kam kthyer kryet, e kam parë që po digjet diçka.
Kur kam shkuar te vendi i ngjarjes, ka pasur shumë flakë të mëdha, shumë tym dhe policia po mundohej të menaxhonte situatën duke i larguar njerëzit nga autobusi që mos të ketë ndonjë shpërthim tjetër
Zjarri ka ndodhur në mes të qytetit dhe ka qenë thuajse e pamundur gati t’i largosh të gjithë popullin nga aty, se rreth e rreth ka pasur persona që janë interesuar t’ i ndihmonin, po ka qenë e pamundur. Kam dëgjuar të bërtitura, por nuk e di a ka qenë nga brenda autobusit apo nga jashtë.
Mediat zvicerane thonë se gjashtë janë të vdekur, pesë të lënduar. Ka edhe prej shqiptarëve, po ende informacione të sakta nuk kemi.
Sa kemi mundur të shohim edhe në video, që ka dalë një shqiptar nga autobusi i lënduar dhe duke u munduar të shuante flakët në rroba e ka pasur duart e djegura pak a shumë. Po është jashtë rrezikut për jetë, kurse gjashtë persona konfirmohet që janë të vdekur, pesë të lënduar në spital.
Ka qenë i pamundur shpëtimi se ka pasur një zjarr të madh, një tym të zi. Unë mendoj se zjarri ka ndodhur në mes të autobusit, ata që kanë qenë te dera e parë kanë mundur të shpëtojnë, kurse këta që kanë qenë mbrapa, ka qenë disi e pamundur për me dalë, se zjarri ka shpërthyer te dera.
Dikush e ka lyer veten me benzinë dhe i ka vënë flakën vetit. Ashtu dyshohet siç e thotë edhe ai çuni në video, ai shqiptari që ka qenë brenda.
Ka qenë një, një i moshuar që ka hyrë me një çantë në autobus dhe ndërkohë e ka lyer veten me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Ende s’kanë dhënë konfirmim se kush është i vdekur, kush i plagosur dhe si ka ndodhur rasti.