Gjykata Administrative e Besançon ka anuluar vendimin për dëbimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Fatjon Salihi, i cili ishte larguar nga Franca më 23 shkurt 2026 nga prefektura e Jura.
Sipas raportimit të gazetës Le Progrès, gjykata vendosi më 5 mars të anulojë të gjitha vendimet e prefekturës lidhur me këtë dëbim. Megjithatë, familja e tij ende nuk e di se kur dhe si ai do të mund të rikthehet në Francë.
Dëbimi i tij shkaktoi reagime dhe emocione në komunitet. Më 23 shkurt, Fatjon Salihi u dëbua në Shqipëri, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, 6 dhe 4 vjeç, si edhe një kontratë pune të përhershme si shef kantieri.
Ai dhe bashkëshortja e tij Berina Salihi kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Që atëherë, Fatjon punonte në kompaninë e ndërtimit RP Routes, ku kishte avancuar gradualisht deri në pozicionin e shefit të kantierit-një profesion për të cilin kompanitë e ndërtimit kanë vështirësi të gjejnë punonjës.
Çifti ka dy fëmijë: djali i madh, 6 vjeç, ka lindur në Shqipëri, ndërsa vajza 4-vjeçare ka lindur në Francë. Familja jetonte në Andelot-en-Montagne.
Sipas Arnaud Dulong, përfaqësues i shoqatës Ajir (Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés), e cila po ndihmon familjen, vendimi i gjykatës është një lajm i mirë, pasi janë anuluar të gjitha masat: detyrimi për të lënë territorin francez (OQTF), ndalimi i rikthimit, refuzimi i afatit për largim vullnetar dhe masa e qëndrimit të detyruar.
Megjithatë, sipas tij, situata ende mbetet e pasigurt.
‘Dy fëmijët e tyre nuk flasin shqip, gjë që tregon dëshirën e tyre për t’u integruar’, tha ai. Ai shtoi gjithashtu se Salihi ka edhe familjarë të vendosur prej kohësh në Francë, përfshirë një motër që tashmë ka marrë shtetësinë franceze.
Bashkëshortja e tij shprehet se largimi i papritur ka lënë familjen pa të ardhura.
Ai më mungon shumë, u mungon edhe fëmijëve,’ tha Berina Salihi, duke shtuar se dëshiron që ai të kthehet sa më shpejt pranë familjes së tij.
Ndërkohë, nuk është e sigurt nëse ai ka marrë pasaportën e tij, e cila sipas raportimeve mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek autoritetet shqiptare.
Punëdhënësi i tij, Pascal Guinchard, ka deklaruar se vendi i punës i është ruajtur.
‘Ne e kemi trajnuar dhe ai është një punonjës shumë i mirë. Po presim me padurim rikthimin e tij,’ u shpreh ai.
Prefektura e Jura nuk ka komentuar mbi këtë çështje, por ka dy muaj kohë për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen e Fatjon Salihi dhe familjes së tij.
Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij ndodhet nën një urdhër për largim nga territori francez dhe shprehet e shqetësuar për të ardhmen.
‘Ne duam vetëm që ai të kthehet dhe të punojë, që të mos kemi më nevojë për ndihmë,’ tha ajo