Për herë të dytë brenda javës, Kombëtarja e Kosovës në hendboll luajti ndeshje të fortë e plotësisht të barabartë me Finlandën.
Dhe pas të enjtes në Vantaa, Kombëtarja jonë ka pësuar edhe të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Rezultati në fund ishte 29:27 në të mirë të mysafireve nga Finlanda.
Ndeshja i takoi xhiros së katërt të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Euro 2026.
Vajzat tona kanë kërkuar fitoren me tri gola dallim për të siguruar vendin e tretë dhe për të mbetur në garë për kualifikim në Evropian.
Ndeshja nisi më mirë për Finlandën që krijoi herët epërsi 4:1. Por Kombëtarja jonë u kthye furishëm. Barazoi në 7:7 e më pas krijoi epërsi prej plot gjashtë golash, 15:9. Dhe kur pritej që epërsia të rritej, Finlanda i shënoi tre gola rresht për rezultatin 15:12 në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 43-të mysafiret kaluan sërish në epërsi dhe më pas u zhvillua lojë e fortë dhe e barabartë deri në fund. Në minutën e 59-të rezultati ishte 27:27, kurse më pas Finlanda i shënoi edhe dy gola të tjerë për fitoren 29:27.
Portierja Aurora Kryeziu sërish ishte më e dalluara te Kosova me plot 14 pritje. Nëntë gola i shënoi Mirela Gjikokaj. Nga pesë i shtuan Elisa Mulaj e Merlinda Qorraj, kurse me katër ndihmoi Tina Hetemi.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Franca fitoi 34:14 ndaj Kroacisë. Franca udhëheqë në grup me tetë pikë dhe është kualifikuar në Evropian.
Kroacia e Finlanda i kanë nga katër pikë, ndërsa Kosova mbetet pa pikë.
Në prill Kosova luan në shtëpi me Francën dhe në udhëtim me Kroacinë.