Kastriotit i ka takuar derbi i xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ekipi ferizajas fitoi 25:20 ndaj Besa Famgasit.
Në pjesën e parë mysafirët kryesisht ishin në epërsi të lehtë. Epërsia e Kastriotit u rrit në 4-5 gola në mesin e pjesës së dytë, kurse Besa nuk ia doli të afrohet më.
Festim Mustafa i realizoi shtatë gola për Kastriotin. Gjashtë i kishte Felippe Teixeira, kurse pesë i shtoi Alban Haziri.
Te Besa Famgas më efikasi ishte Deniz Terziqi me pesë gola. Katër i shënoi Jon Vokshi.
Për Kastriotin ishte fitorja e 14-të. I ka 28 pikë në vendin e dytë, aq sa edhe Rahoveci në të parin.
Besa Famgas është e treta me 24 pikë. E ka një ndeshje më pak të luajtur.
Po të dielën, Vëllaznimi fitoi 42:33 ndaj Trepçës.
Ardi Halili i shënoi 11 gola për gjakovarët, kurse Florian Rexha nëntë.
Te Trepça, Eris Beqiri e Edmond Istrefi i shënuan nga gjashtë gola.Vëllaznimi është i katërti me 16 pikë. Trepça renditet e pesta me 12 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.
Ndeshjen e fundit të xhiros mes Llapit dhe Vushtrrisë e fituan llapjanët me rezultat 47:24.
Blerton Hasani e Rifat Visoka i shënuan nga shtatë gola për Llapin.
Te Vushtrria u dallua Oltion Shabani me tetë gola.
Llapi zë vendin e gjashtë me 11 pikë. Vushtrria është e fundit, pa pikë.