Eksportet nga Kosova drejt Shqipërisë u rritën me 2.3%, derisa Shqipëria po humb tregun e Kosovës

auto Transport eksporte 1206 1024x4821770449531 1

Eksportet nga Kosova drejt Shqipërisë u rritën me 2.3%, duke arritur në 16.13 miliardë lekë.
Eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u rritën me mbi 1.4 miliardë lekë, ose 35%, si pasojë e blerjeve të energjisë elektrike, pjesë e marrëveshjeve për shkëmbimin e energjisë.

Edhe eksportet e produkteve kimike dhe plastike u rritën me mbi 120 milionë lekë ose 9.5%, ndërsa tekstilet dhe këpucët u shtuan ndjeshëm me rreth 29.5%.

Ndërsa Shqipëria po humb edhe tregun e Kosovës, suficiti bie me 20% brenda një viti
Kosova, tradicionalisht tregu më i rëndësishëm rajonal për eksportet shqiptare, po jep shenja ftohjeje për mallrat nga Shqipëria. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se eksportet shqiptare drejt Kosovës ranë në 33.65 miliardë lekë, nga 36.83 miliardë lekë në vitin 2024, me tkurrje vjetore prej 9.5%. Kjo është rënia më e fortë vjetore e eksporteve drejt Kosovës gjatë pesë viteve të fundit të marra në analizë.

Humbja më e madhe vjen nga materialet e ndërtimit dhe metalet, ku eksportet janë tkurrur me rreth 8.7 miliardë lekë brenda një viti, ose 73% më pak. Furnizuesit nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë produktet shqiptare në sektorë si çimentoja, hekuri, alumini dhe materialet e ndërtimit.

Edhe produktet kimike dhe plastike kanë pësuar rënie të fortë prej mbi 1 miliard lekësh ose 28%, duke konfirmuar se Kosova nuk po humbet vetëm si treg konsumi, por edhe si hapësirë për industrinë përpunuese shqiptare.

Si pasojë, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën ra në 17.52 miliardë lekë në vitin 2025, nga 21.07 miliardë lekë në vitin 2024, një përkeqësim prej 3.54 miliardë lekësh, ose mbi 20%, brenda vetëm një viti.

Rënia është edhe më e thellë nëse krahasohet me vitin 2023, kur suficiti kishte arritur mbi 29 miliardë lekë. Brenda dy vitesh, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit në tregtinë me Kosovën.

Ky zhvillim ka një peshë të veçantë, sepse Kosova përbën destinacionin më të madh rajonal për eksportet shqiptare. Dobësimi i këtij tregu dëshmon probleme më të thella në prodhimin shqiptar, pasi me Kosovën barrierat doganore janë minimale dhe avantazhi i gjuhës duhet të favorizonte Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts