Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas komunikatës së IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër. Një patrullë policore, e përbërë nga katër zyrtarë, kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri nga zyrtarët policorë ka tejkaluar autorizimet ligjore duke përdorur forcën ndaj qytetarit edhe pasi ai ishte prangosur. Si pasojë, qytetari ka pësuar lëndime trupore.
Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor. Megjithatë, sipas IPK-së, zyrtarët e përfshirë nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.
Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.
IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor të arrestuar kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante për hetimin.
Me vendim të prokurorit kompetent, policit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndërkohë, hetuesit e IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në rast.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.


Leave a Reply