Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor që lidhet me pengimin e drejtësisë.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 17 nëntor 2026, gjykatësi i vetëm konstatoi se Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale lidhur me disa dëshmitarë në procesin gjyqësor për krime lufte, si dhe kishte përcjellë udhëzime për mënyrën se si ata duhej të dëshmonin.

Gjykata e shpalli atë fajtor për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurave dhe mospërfillje të gjykatës.

Dënimi prej 17 muajsh duhet të vuhet veçmas nga çdo dënim tjetër i shqiptuar ndaj tij në rastin e krimeve të luftës.

Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por gjykata konsideroi se dënimet e tyre ishin vuajtur për shkak të kohës së kaluar në paraburgim. Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Thaçi i ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar vendimin. Sipas raportimeve, mbrojtja ka paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *