Dogana zbulon mbi 8 kilogramë argjend të fshehur brenda një lavatriçeje në Merdarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme argjendi të padeklaruar në pikën kufitare të Merdarës, gjatë kontrollit të një automjeti që po kalonte transit nëpër Kosovë.

Sipas njoftimit të Doganës, bëhet fjalë për rreth 8.27 kilogramë argjend, i cili ishte fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur.

Rasti është zbuluar më 14 nëntor, gjatë kontrollit të një furgoni me targa të huaja, i cili vinte nga Belgjika dhe po udhëtonte drejt një shteti fqinj.

Gjatë kontrollit fillestar, zyrtarët doganorë kanë vërejtur parregullsi në ngarkesën e automjetit. Për këtë arsye, furgoni është dërguar për skanim, ku janë identifikuar dyshime për mallra të padeklaruara.

Pas një kontrolli më të detajuar dhe çmontimit të pajisjes, është zbuluar argjendi i fshehur brenda saj.

Sasia e sekuestruar përfshin gjashtë monedha investimi me peshë nga një kilogram secila, një shufër argjendi prej një kilogrami dhe dy tuba me nga 20 monedha, ku secila peshon 31.1 gram.

Sipas vlerësimit fillestar, vlera e argjendit në treg llogaritet të jetë nga 8 mijë deri në 10 mijë euro.

Mallrat janë sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti i është përcjellë organeve kompetente për hetime të mëtejshme dhe procedura lidhur me shkeljet doganore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *