Autoritetet e ndjekjes dhe hetuesisë e kanë dërguar në paraburgim një burrë nën dyshimin për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri, si dhe kanë konfiskuar armë gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij disa orë pas incidentit që shkaktoi zemërim në vend të premten.
I dyshuari, 38 vjeç, dyshohet se e vrau bashkëshorten e vet 27-vjeçare, vëllain e bashkëshortes, 31 vjeç, si dhe e plagosi rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, 48 vjeç, sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës.
Derisa motivet e vrasjes së dyfishtë vazhdojnë të mbetet të panjohura, autoritetet ligjzbatuese thanë se gjetën armë shtesë në shtëpinë e të dyshuarit, i cili, sipas tyre, nuk ka të kaluar kriminale.
Si ndodhi ngjarja?
Policia tha se të premten rreth orës 14:25 pranoi thirrje për të shtëna më armë në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan, dhe kur mbërriti në vendngjarje e gjeti të pa shenja jete brenda një automjeti burrin 31-vjeçar, i identifikuar me inicialet E.B.
Ndërsa, gruaja 27-vjeçare, me inicialet N.B., ishte sjellë pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, pasi plagëve të pësuara prej të shtënave nga i njëjti i dyshuar.
I plagosuri, i identifikuar si M.B, po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tha prokuroria në Gjilan të premten pak para mesnatës.
Policia bëri të ditur të premten se i dyshuari, i identifikuar si V.R., u vetëdorëzua para autoriteteve.
Ai është dërguar në paraburgim teksa autoritetet po i vazhdojnë hetimet për dy vepra penale për të cilat dyshohet ai: vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Armë pa leje
Policia tha se në dy vende të ngjarjes ka sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha, si dhe brenda veturës së të dyshuarit ka sekuestruar një revole, me të cilën dyshohet se ishte kryer vrasja.
Revolja kishte leje të skaduar, sipas Policisë.
Gjatë bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një revole pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, theksoi Policia.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan tha se revolja me të cilën dyshohet se i pandehuri kreu vrasjet është e tipit “Bereta”, dhe kishte leje të skaduar.
Prokuroria tha se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje.


Leave a Reply