Në Mitrovicën e Veriut është hapur zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës, një hap që synon të përmirësojë qasjen e qytetarëve në institucionet që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Hapja e zyrës u bë më 16 nëntor, në prani të përfaqësuesve të institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi se kjo zyrë do t’u mundësojë banorëve të katër komunave në veri të Kosovës që të kenë qasje më të lehtë në institucion dhe të paraqesin ankesat e tyre.
Sipas tij, numri i rasteve dhe ankesave që pranohen nga institucioni është rritur ndër vite, gjë që dëshmon edhe rritjen e besimit të qytetarëve në punën e tij.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Drejtori ekzekutiv i organizatës ACDC, Dušan Radaković, theksoi se zyra duhet të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike.
Hapja e kësaj zyre konsiderohet një mundësi shtesë për qytetarët që të kërkojnë ndihmë institucionale dhe të adresojnë shkeljet e mundshme të të drejtave të tyre.


Leave a Reply