Katër punonjës të QKUK-së suspendohen pas parregullsive në menaxhimin e barnave

Katër punonjës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.

Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili ka njoftuar se vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së.

Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri.

Gjatë kësaj mbledhjeje, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka raportuar për masat e para disiplinore të ndërmarra lidhur me parregullsitë e evidentuara.

Bordi Drejtues ka kërkuar që Drejtoria e Përgjithshme të raportojë në mënyrë të rregullt për zhvillimin e procedurave disiplinore dhe veprimet e tjera që do të ndërmerren.

Nga SHSKUK është bërë e ditur se trajtimi i rasteve do të vazhdojë në përputhje me procedurat në fuqi, me synim rritjen e përgjegjësisë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.

Çështja vjen në një kohë kur mungesa e barnave dhe materialeve shpenzuese në institucionet publike shëndetësore vazhdon të jetë temë shqetësuese për pacientët në Kosovë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *