Arrestohet ish-ministri Astrit Haraqija në operacionin “Heshtja”

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është arrestuar në kuadër të një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës kundër trafikimit dhe shpërndarjes së dyshuar të narkotikëve.

Operacioni i koduar “Heshtja” është zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, nën udhëheqjen e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Lajmin për arrestimin e Haraqisë e ka konfirmuar për KOHËN avokati i tij mbrojtës, Korab Bokshi. Sipas tij, ish-ministrit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Avokati ka deklaruar gjithashtu se gjatë bastisjes në banesën e klientit të tij janë sekuestruar telefona dhe mjete monetare, për të cilat ka thënë se janë kursime të fëmijëve të tij.

Sipas Policisë së Kosovës, në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar dhe janë bastisur disa lokacione. Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze, para të gatshme dhe pajisje të tjera.

Vlera e përgjithshme e aseteve të sekuestruara raportohet të jetë rreth 301 mijë euro.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa personat e dyshuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.